Po planifikonin vrasje me pagesë, Policia e Durrësit arreston 3 persona

Nga A2 CNN
30 Gusht 2021, 10:13 | Kronikë
Po planifikonin vrasje me pagesë, Policia e Durrësit arreston 3

Policia e Durrësit ka arrestuar 3 persona, pasi planifikonin të kryenin vrasje me pagesë. Sipas Policisë, dy prej të arrestuarve janë me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Operacioni policor i koduar "Misioni" çoi në pranga:  Aldi Mustafa, 35 vjeç, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani; Uran Zyka, 40 vjeç, i dënuar më parë për "Kanosje". Të dy këta shtetas janë me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, si edhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.

Policia ka sekuestruar edhe 3 pistoleta me fishekë dhe 1 mitraloz me fishekë, gati për qitje, municion luftarak, vlera monetare dhe sende të tjera.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kapjen e personave në kërkim ose atyre që disponojnë armë zjarri me vete, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Misioni", në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale "Kanosja" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani;

Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Kanosja". Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit. 

Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip "BMË", me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, por nuk kanë mundur dot pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të Policisë.  

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. 

Strukturat hetimore të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë intensivisht punën hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Armëmbajtje pa leje". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos