Pochetino dhe Sylvinho mezi po e presin, Broja rikthehet furishëm në stërvitje

Nga A2 CNN
22 Qershor 2023, 12:43 | Futboll

Kombëtarja shqiptare ia doli të marrë 6 pikë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese, me mesfushën dhe sulmuesit e krahut që shkëlqyen me 5 gola të shënuar.

Por, ajo që u vu re në repartin ofensiv të kuqezinjve, ishte mungesa e garancisë nga ana e Sokol Cikalleshit si 9-shi ideal.

Sulmuesi që luan në kampionatin arab ka zënë vendin e titullarit në formacion, veçanërisht prej mungesës së Armando Brojës, i cili humbi edhe sezonin me Chelsea për shkak të dëmtimit të rëndë përballë Aston Vilës në një miqësore.

Gjasat janë që Broja të rikthehet të luajë në gusht dhe do të jetë edhe në listën e shtatorit të teknikut Sylvinho, duke synuar sërish vendin e titullarit.

Sulmuesi i Bluve të Londrës duket se po shkon drejt rikuperimit të plotë pas 6 muajve larg fushave të blerta dhe këtë e tregon më së miri performanca e tij në stërvitjet private që zhvillon.

Pamjet e njërës prej tyre janë publikuar në Twitter dhe Broja duket i papërmbajtshëm në duel.

Ndërkohë, lajmi i mirë për sulmuesin 21-vjeçar është edhe vlerësimi i lartë që tekniku i ri i Chelsea, Mauricio Pochettino ka për yllin kuqezi.

Ai ka vendosur që Broja të mos largohet nga Blutë e Londrës, të paktën jo këtë verë, pasi dëshiron ta shohë shqiptarin në aksion gjatë fazës përgatitore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos