Policia e Shtetit, e “zhgënjyer” nga Gjykata për lirimin e dy të fortëve të Elbasanit

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2019, 09:08 | Aktualitet
Policia e Shtetit, e “zhgënjyer” nga Gjykata për lirimin e

Policia e Shtetit, përmes një deklarate të gjatë për shtyp ka shprehur zhgënjimin me dy vendimet e një ditë me parë të Gjykatës së Elbasanit dhe asaj të Krimeve të Rënda për lirimin nga burgu të Florenc Çapjas dhe shpalljen të pafajshëm të Suel Çelës.

Duke u drejtuar me emër dhe mbiemër, Policia e Shtetit shprehu shqetësimin për vendimin e gjyqtarit Tomor Kullolli për të pushuar çështjen ndaj Florenc Çapjas, i cili çon në lirimin e tij nga burgu.

Sipas Policisë së Shtetit, Florenc Çapja është një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe po gjykohej për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë.

“Sqarojmë opinionin publik se Florenc Çapja është arrestuar në datën 14.06.2019, gjatë operacionit policor “Krasta”, zhvilluar në Elbasan, pasi gjatë hetimeve të kryera nga Njësia Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në provat e administruara në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan rezultoi se ishte autor i vrasjes së mbetur në tentativë të ish-punonjësit të Policisë, shtetasit F. D., ngjarje e ndodhur në vitin 2006”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Gjithashtu, Policia e Shtetit dënoi dhe vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe trupës gjykuese të përbërë nga Klodian Kurtishi, Fran Prendi, Sandër Simoni, të cilët shpallën të pafajshëm Suel Çelën për ngjarjen e ndodhur në tregun e Elbasanit në 10 shtator 2017.

Sipas policisë, ky shtetas është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t'i shpëtojë ndëshkimit.

Më tej në deklaratën e Policisë shprehet zhgënjimi për këto vendime që i japin krahë krimit

“Policia e Shtetit shpreh zhgënjimin e thellë për këto dy vendime të paligjshme, të cilat i japin krah krimit dhe synojnë të frenojnë punën e saj, por ajo është e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në tërësi. Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të cilitdo që shkel ligjin”, thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos