
Policia e Vlorës ka dhënë detaje në lidhje me drogën e sekuestruar dje në një gomone në Karaburun. Bëhet fjalë për 577 kg lëndë narkotike kanabis, ndërsa në pranga kanë rënë 3 trafikuesit e drogës Mandi Begaj, Herman Muçaj dhe Ëngjëllush Mukaj. Kapja dhe sekuestrimi i tyre u arrit pas disa orësh ndjekjeje nga deti dhe toka.
“Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia. Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e së cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve Mandi Begaj, 43 vjeç, Herman Muçaj, 27 vjeç, Ëngjëllush Mukaj 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. (A2 Televizion)