
Policia ka shoqëruar në komisariat mbrëmjen e së dielës ish-deputetin e Partisë Demokratike, pas bllokimit të rrugës në “Unazën e Re” nga banorët e Astirit dhe ish-deputetë të PD, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i kësaj partie në mbështetje të banorëve.
PD ka bërë të ditur se ish-deputeti është shoqëruar në polici së bashku me disa banorë, ndërsa në drejtorinë e policisë kanë shkuar përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë lirimin e të ndaluarve.
Për bllokimin e rrugës në “Unazën e Re” ka reaguar në mbrëmje edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës”, shkruan ai në “Facebook”.
Më tej, ministri shkruan se drejtues të PD-së u fshehën pas fëmijëve dhe grave, “të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajës”.
Lleshaj u drejtohet drejtuesve të PD duke u thënë se, “policia nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit, siç i quan. (A2 Televizion)