Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e masave të marra nga qeveria në mbledhjen e fundit për moslejimin e grumbullimeve masive në ambiente të hapura apo të mbyllura, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dërguar një telegram të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe, për mbylljen e menjëhershme të lokaleve të natës, pubeve, diskove, palestrave e lokaleve ku ka grumbullime masive.
Në të gjithë vendin, u mbyllën mbrëmjen e djeshme 522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pube dhe 18 lokale me muzikë live.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pronarëve të lokaleve që të zbatojnë pa asnjë hezitim urdhrat e përcjella nga punonjësit e policisë dhe të mos i kundërshtojnë ato, pasi moszbatimi i tyre do shoqërohet me penalitete . (A2 Televizion)