Politika në sitën kushtetuese, Gjykata nis shqyrtimin e padive, “30 qershori” pranohet për gjykim

Nga A2 CNN
11 Maj 2021, 20:08 | Aktualitet
Politika në sitën kushtetuese, Gjykata nis shqyrtimin e padive,

Pas dy vitesh, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim padinë për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, depozituar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, Gjykata ka nisur shqyrtimin e të gjitha padive të paraqitura nga politika.

Prej katër muajsh Gjykata Kushtetuese është rikthyer në funksionalitet, por paditë që ishin rrjedhojë e konfliktit politik ishin lënë mënjanë, deri në përfundimin e fushatës elektorale.

Tashmë, me mbylljen e zgjedhjeve parlamentare, shtatë anëtarët kushtetues kanë filluar me shqyrtimin e këtyre padive dhe çështja më e nxehtë është ajo për zgjedhjet vendore të vitit 2019, nëpërmjet të cilës opozita synon të shpallë antikushtetues këtë proces zgjedhor, ndërsa mazhoranca do të zhvillojë betejën e saj për të fituar legjitimitetin kushtetues, çka do t’i lejonte të vazhdonte gëzimin e pushtetit në 60 njësi vendore.

Zyrtarisht padia u dorëzua korrikun e vitit 2019 në emër të Shoqatës së Bashkive, drejtuar nga Voltana Ademi, e vetmja nga opozita që vijoi të mbajë drejtimin e qytetit.

Edhe padi të tjera të paraqitura nga politika kanë tashmë një datë shqyrtimi dhe më e afërta është ajo ndërmjet Ramës dhe Metës sa i takon kompetencave të presidentit për dekretimin e ministrave, përballje e cila do të zhvillohet në datën 18 maj, ndërsa në muajin qershor deri më tani janë rezervuar dy përballje të tjera. 

Njëra është padia e Presidentit për çështjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa tjetra, është padia kundër herësit zgjedhor për çështjen e listave të hapura të depozituar nga Myslim Murrizi e Astrit Patozi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos