
Milorad Dodik frenon Bosnjë e Hercegovinën të njohë Kosovën si shtet i pavarur.
Politikani serb votoi kundër njohjes në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidencës boshnjake, ndërsa dy anëtarët e tjerë të këtij institucioni, Zhelko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç, votuan pro.
“Kosova është një realitet. Kosova është një shtet i pavarur dhe të gjithë e dimë këtë”, u shpreh anëtari kroat i presidencës boshnjake Komshiç.
Vendimi për njohjen e Kosovës nuk është përfundimtar, pasi u ra dakord që të shkohet në raundin e dytë të votimit në seancën e ardhshme.
Ndërkohë, anëtarët e presidencës diskutuan edhe për minishengenin Ballkanik. Dodik kërkoi që Bosnja t’i bashkohet kësaj nisme rajonale, por dy anëtarët e tjerë refuzuan. Gjithashtu nuk u miratua dhe kërkesa tjetër e politikanit serb për të transferuar ambasadën e Bosnjës në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem. (A2 Televizion)