Portieri golashënues kandidon për president: Luftoj korrupsionin

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2020, 14:58 | Futboll
Portieri golashënues kandidon për president: Luftoj korrupsionin

“Krenar që jam paraguaian. Çila president në vitin 2023”. Me këtë moto, portieri legjendar, José Luis Chilavert, nisi fushatën për zgjedhjet presidenciale në vendin e tij. I vlerësuar tri herë me çmimin “Portieri më i Mirë” nga FIFA, ai është i famshëm edhe për aftësitë e jashtëzakonshme në ekzekutimin e goditjeve standarde.

Nga penalltitë te goditjet e dënimit, Chilavert është një portier që ka shënuar 54 gola në rang klubesh dhe 8 me përfaqësuesen e Paraguait. Deri në vitin 2006, mbante rekordin si portieri që kishte realizuar më tepër gola, primat që u thye më pas nga braziliani Rogerio Ceni.

Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në fushë, tani José Luis Chilavert synon të luftojë korrupsionin e përhapur në mënyrë alarmante në vendin e tij. Përveçse një rekordmen, ai njihet për faktin që një narko-trafikant kërkoi ta vriste. Gjithçka lindi pas ndeshjes Paraguai-Kolumbi, të 2 prillit 1997, kur Chilavert goditi me grusht sulmuesin Faustino Asprilla. Kolumbiani pranoi gjatë një interviste se një baron droge i ishte ofruar që të hakmerrej për atë që ndodhi në fushë, duke e vrarë José Luis Chilavert, por ish-sulmuesi i Parmës e refuzoi propozimin.

Në moshën 55-vjeçare, ish-portieri njoftoi publikisht kandidaturën e tij në zgjedhje. Gjatë tri javëve në vazhdim pritet të anonçojë edhe programin, por njoftoi paraprakisht se një prej synimeve të tij madhore është përmirësimi i jetës së njerëzve në Paraguai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos