Interi fitoi 4-3 ndaj Salzburg, miqësorja e parafundit para nisjes së sezonit, falë një goli në minutën e 90 të Stefano Sensit, pas një asisti të mrekullueshëm të Asllanit, por në një ndeshje plot dritëhije. Golat e tjerë për zikaltërit u shënuan nga De Vrij, Correa dhe një autogol i Pavlovic.
Pritej me shumë interes debutimi i portierit të ri të Interit, Ian Sommer, i cili zhvilloi një ndeshje për t’u harruar. Përveçse bëri një dalje të gabuar në golin e parë të ekipit austriak, shkaktoi edhe një 11-metërsh.
Në 13 gusht, Inter do të zhvillojë miqësoren e fundit dhe kundërshtari që do të ketë përballë është Egnatia. Ekipi rrogozhinas do të udhëtojë në Ferrara të Italisë për këtë miqësore luksi ndaj zikaltërve dhe duke parë pasiguritë jo vetëm në portën zikaltër, por edhe në repartin e mbrojtjes, mund të ëndërrojë për një rezultat historik. (A2 Televizion)