
Pas 12 vitesh një kandidat për kryetar bashkie në Tiranë ka hapur dyert për mediat që të ndjekin nga pranë aktivitetet e tij elektorale. Belind Këlliçi u ndal në lagjen “5 Maj” të kryeqytetit, teksa dha një përgjigje për posterin e shpërndarë një ditë më parë. Bëhet fjalë për këtë tablo ku fotoja e Belind Këlliçit me gishtat e mesit ngritur lart të cilët janë kujdesur të sfumohen, është e shoqëruar me sloganin “Duart e Belos kështu i drejtohen korrupsionit në Tiranë”.
“A ka mesazh më të qartë sesa t’i drejtohesh korrupsionit pa etikë? Jam i vendosur të luftoj korrupsionin në bashkinë e Tiranës pa limit, pa censurë dhe pa etikë. Bashkia e Tiranës është një nga institucionet më të korruptuara të shtetit tonë. Habitem si nuk janë shqetësuar mediat e qytetarët dhe ata që janë shqetësuar nga posteri im për vjedhjen që i ndodh çdo ditë qytetit, për inceneratorin që paguajmë mijëra euro çdo vit për një shërbim që nuk e marrim. Pse nuk shqetësohen për faktin që nuk bëhet asnjë investim për rrugë e shkolla? Pse nuk shqetësohen që këtu është vjedhur e ardhmja e fëmijëve dhe vidhet çdo ditë buxheti i shtetit? Ishte një mënyrë e drejtpërdrejtë se duhen metoda të tilla për të dhënë një mesazh për të thënë që jam i drejtpërdrejt dhe e kam seriozisht për të luftuar korrupsionin unë në këtë betejë jam për një model ndryshe dhe modelin ndryshe po sjell”, tha Këlliçi.
Akuzave të socialistëve se nuk ka diplomë të gjimnazit, Këlliçi iu përgjigj me të njëjtën akuzë drejtuar kundërshtarit të tij Erion Veliajt.
“Erion Veliajn e kanë pyetur ndonjëherë se ku e ka bërë shkollën? Se ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit që nga shtatori 1998 deri në dhjetorin 2022 ka qenë në SHBA. E ndërkohë ka deklarata të tij publike që gjatë kësaj kohe ka qenë një vit në Greqi, një vit në Çad në Afrikë dhe një vit tjetër përkthyes në Kosovë”, tha Këlliçi.
Këlliçi e vijoi turin e tij me qytetarët mes pallateve të “5 Majit” duke dëgjuar problematikat e tyre. Zyra e shtypit e Këlliçit ka njoftuar se takimet elektorale do të vijojnë të jene te hapura për median. (A2 Televizion)