











Gara për titullin kampion vijon të mbetet e hapur, edhe pas përballjes vendimtare mes Manchester City-t dhe Liverpool-it këtë të diel. Dy skuadrat ndanë nga një pikë në sfidën e zhvilluar në “Etihad”, të mbyllur në barazim 2-2.
Kevin de Bruyne shënoi për vendasit që në fillim të takimit, por Diogo Jota barazoi për Të Kuqtë. Gabriel Jesus arriti të rikthente të tijtë në epërsi, por në fillim të pjesës së dytë ishte Sadio Mane që barazoi rezultatin për miqtë.
Në fund, Raheem Sterling u duk se i dha fitoren skuadrës së tij, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.
Kjo është hera e parë pas 22 ndeshjeve këtë sezon, që City hap serinë e golave në një ndeshje kampionati dhe nuk arrin ta mbyllë me fitore. Megjithatë, skuadra e Pep Guardiola-s vazhdon të kryesojë renditjen me 74 pikë, ndërsa Liverpool ndjek me një pikë më pak.
(A2 Televizion)