
“Meta shkoi në Presidencë jo për të arritur kulmin e karrierës së tij politike, por si një trampolinë politike, ndërkohë që PS e dërgoi atje për të dëmtuar partinë e tij politike, jo për të kërkuar presidentin e Republikës”, kështu u shpreh studiuesi Afrim Krasniqi në Absolut 4, ku pjesë e diskutimit ishte çështja e zgjedhjes së presidentit të ri.
Krasniqi gjithashtu komentoi dhe dy komisionet parlamentare që u ngritën nga mazhoranca për shkarkimin e Ilir Metës, të cilat i cilësoi si raste qesharake për institucionet e shtetit.
“Ishte e pamundur të kishim një president sipas kostumit kushtetues dhe zoti Meta mesa duket nuk arriti të përshtatet me atë imazh që duhet të kishte dhe mendoj se vitet e fundit secila palë luftoi shumë dhe deri diku viktimë ishte institucioni i presidentit. Mazhoranca për ta denigruar, fyer, por dhe defaktorizuar në mënyrë vulgare sepse sulmet dhe akuzat ishin jashtë çdo lloj limiti, ndërkohë që sjellja e presidenti, të paktën dy vitet e fundit, mendoj që nuk ka pasur asnjë gjë presidenciale.
Dy komisione parlamentare vlejnë për studime, por në fakt ishin dy raste qesharake për institucionet e shtetit. Në rastin e parë presidenti kishte një shkelje, për atë iu dha një vërejtje. Në rastin e dytë nuk kishte shkelje dhe për atë u kërkua shkarkim. Kjo tregon me çfarë standardi vepron politika në Shqipëri”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)