Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës kroate të Bashkimit Europian, kryeministri i atij vendi Andrej Plenkovic nënvizoi disa nga prioritetet e BE gjatë këtij viti.
Ndër to, Plenkovic përmendi si objektiv kryesor përshpejtimin e hapave përpara në marrëdhëniet midis shteteve anëtare dhe Europës Juglindore, që sipas tij do të kulmojë me samitin që do t’i kushtohet Ballkanit Perëndimor në muajin maj.
“Synimi jonë politik para samitit, në bashkëpunim me Komisionin dhe vendet anëtare, do të jetë gjetja e një mënyre për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Plenkovic.
Një tjetër objektiv madhor i BE-së, përtej miratimit të buxhetit, do të jetë zgjidhja e Brexit.
Për kryeministrin kroat, punimet për miratimin e draftit që do të përmbajë kuadrin e marrëdhënieve midis Britanisë së Madhe dhe BE-së do të zgjatet gjatë gjithë vitit, dhe mund të vijojë deri në presidencën e ardhshme të Bashkimit Europian, që i takon Gjermanisë. (A2 Televizion)