Presidencialet 2020, Biden konfirmon epërsinë ndaj Sanders

Nga A2 CNN
11 Mars 2020, 14:22 | Bota
Presidencialet 2020, Biden konfirmon epërsinë ndaj Sanders

Joe Biden çimenton pozitat si pretendenti kryesor demokrat në garën për Shtëpinë e Bardhë. Në atë që njihet si super e marta 2, ish zëvendës presidenti fitoi në Mississipi, Missouri Idaho dhe në Michigan e konsideruar si çmimi i madh i mbrëmjes…

Në një fjalim në Philadelphia, Biden falënderoi mbështetësit e tij dhe bëri thirrje për unitetit partiak.

“Ne ndajmë të njëjtin qëllim dhe së bashku do të mundim Donald Trump”, u shpreh Joe Biden.

Michigan është një shtet tradicionalisht i lëkundur, që konsiderohet si tejet i rëndësishëm për rrjedhën e garës presidenciale. Presidenti amerikan Donald Trump fitoi atje me një diferencë të ngushtë në vitin 2016-të.

Rezultatet janë një goditje e rëndë për Bernie Sanders, i cili pas sprapsjes në zgjedhjet e së martës së kaluar, shpresonte në një rikthim. Tani nuk dihet nëse Sanders do të vijojë garën deri në konventën e partisë në muajin korrik. Momenti tjetër i rëndësishëm është javën e ardhshme kur janë në dispozicion 577 delegatë. Për të siguruar nominimin e partisë, një kandidati i duhet të ketë mbështetjen e 1991 delegatëve. Para votimit të së martës, Biden kishte 648 delegatë ndërsa Sanders 563. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos