
Joe Biden dhe Bernie Sanders u përballen në një debat të pazakontë mes pandemisë së koronavirusit.
Në vend të shtrëngimit të duarve, përdorën bërrylat. Ata tentuan të tregonin cilësitë e tyre në drejtimin e vendit në këtë kohë krize.
“Kjo është si një luftë dhe në një luftë duhet të bësh çdo gjë që nevojitet për t’u kujdesur për popullin tënd”, tha Biden.
Ndërsa Sanders u shpreh: “Në mes të kësaj krize, ne duhet të veprojmë në një mënyrë të paprecedentë”.
Për shkak të koronavirusit, debati u zhvendos nga Feniks në një studio në Uashington dhe u mbajt pa audiencë. Podiumet ishin vendosur të paktën dy metër larg, në respektim të distancës së sigurisë. Natyrisht, çështja e koronavirusit dominoi debatin.
“Për shkak të koronavirusit, ajo që ne duhet të bëjmë është të kuptojmë brishtësinë e ekonomisë sonë dhe sa e padrejtë është që disa këtu kanë shumë dhe shumë të tjerë kanë pak”, theksoi Sanders.
“Qytetarët kërkojnë rezultate dhe jo revolucion”, theksoi Biden.
Kjo ishte një pikë kthese në garën presidenciale. Sanders shpreson që t’i bëjë sa më shumë jehonë mesazheve të tij: “Jemi i vetmi vend i fuqive të mëdha që nuk garantojmë përkujdesje shëndetësore për të gjithë qytetarët”.
Favoriti Biden përballet me dy sfida: të bindë mbështetësit e Sanders që ta përkrahin dhe të fokusohet tek personi që kërkon të mundë: Presidentin Donald Trump.
“Kërcënimi kryesor për Shtetet e Bashkuara është Donald Trump”, tha Biden. (A2 Televizion)