
Pete Buttigieg tërhiqet zyrtarisht nga gara brenda Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi i tij duket se do të ndihmojë kandidaturën e Joe Bien. Ata mbetën 6, pasi Pete Buttigieg i dha fund garës për Shtëpinë e Bardhë.
“Po ndërmarr vendimin e vështirë për të pezulluar fushatën time presidenciale”, u shpreh Pete Buttigieg.
Kandidatura e ish-kryebashkiakut nisi vitin e kaluar në Indiana me një staf prej 4 vetash.
“Pa listë me emra të mëdhenj, pa pasuri personale, shumë pak më njihnin dhe akoma më pak mund ta thonin emrin tim”, deklaronte në atë kohë Buttigieg.
Megjithatë, kjo ndryshoi me kohën dhe Buttigieg theu barriera duke u bërë kandidati i parë i hapur homoseksual të fitonte delegatë brenda një partie të madhe.
“Ishim mes 4 të parëve në secilin prej 4 shteteve të para të zgjedhjeve paraprake dhe ne bëmë histori duke fituar në Iowa”.
Buttigieg nuk mbështeti asnjë nga rivalët e tij në garën brenda demokratëve, por i nominuari kryesor me shumë mundësi do të ketë përkrahjen e tij.
Presidenti Donald Trump thotë në Twitter, se tërheqja e tij i jep një shtysë të madhe ish zëvendëspresidentit Joe Biden, dhe të tjerët janë dakord. Favoriti Bernie Sanders përgëzoi ish rivalin e tij.
“E përgëzoj atë për fushatën e shkëlqyer që pati. Ai është kandidati i parë homoseksual për president i Shteteve të Bashkuara dhe mirëpres të gjithë mbështetësit e tij në lëvizjen tonë”, deklaroi Bernie Sanders. (A2 Televizion)