
Është pritur me protesta të mëdha në Lisbonë vizita e presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ishte ftuar nga autoritetet portugeze për të shënuar 49 vjetorin e Revolucionit të Karafilave.
Qindra njerëz ishin mbledhur përpara parlamentit për të protestuar kundër liderit brazilian, në një protestë që ishte organizuar nga aktivistët e ekstremit të djathtë, gjithashtu simpatizantë të ish-presidentit Bolsonaro.
Por “surprizat” për Luiz Inacio Lula da Silva nuk kishin përfunduar pasi ai u prit me vërshëllime dhe nga anëtarë të parlamentit teksa mbante fjalimin përshëndetës drejtuar deputetëve portugezë.
Dhjetëra parlamentarë të lëvizjes së drejtuar nga Andre Ventura u ngritën në këmbë dhe nisën të përplasnin duart në tavolina duke vendosur dhe disa banderola në mbështetje të Ukrainës dhe një tjetër që shkruante “Vendi i hajdutëve është në burg”. (A2 Televizion)