Presidenti i ri, socialistët caktojnë 4 qershorin. Opozita, bojkot diskutimeve

Nga A2 CNN
31 Maj 2022, 19:13 | Politikë
Presidenti i ri, socialistët caktojnë 4 qershorin. Opozita, bojkot

Mazhoranca zgjodhi të mos presë gjatë për të zgjedhur Presidentin e ri. Socialistët, në Konferencën e Kryetarëve, caktuan 4 qershorin ditën më të përshtatshme për të mbushur kutitë e votimit me emrin e Presidentit të ri të Republikës.

Caktimi i kësaj date u imponua jo nga nevoja e kohës për dialog politik, por për shkak të agjendës së Edi Ramës, i cili ndodhet jashtë shtetit, pasi raundi i katërt fut në lojë mekanizmin zhbllokues të parashikuar në Kushtetutë: Presidenti zgjidhet me 71 vota.

Ky fakt duket i pranuar tashmë edhe nga opozita, e cila bojkotoi diskutimet për këtë çështje, duke hedhur në publik aksionin e tyre për hetimin parlamentar të investimeve strategjike. Kërkesa u refuzua menjëherë nga mazhoranca, ndërsa kritikat për strategjinë e Alibeajt erdhën edhe nga kampi opozitar i Fatmir Mediut.

Për zgjedhjen e Presidentit të ri, socialistët do të mbledhin Kryesinë ditën e premte, ku do të zgjedhin mes 10 emrave Kreun e ri të Shtetit. Emri i propozuar nga Kryesia do t’i kalojë për miratim grupit parlamentar paraditën e së shtunës, për t’u votuar disa orë më vonë në seancë plenare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos