
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, pavarësisht se është diagnostikuar me Covid-19, nuk ngurroi të dilte për të përshëndetur qindra mbështetës të tij para pallatit presidencial. Video e takimit (në distancë) u publikua në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe pse mbante një maskë në fytyrë, pranë presidentit qëndronin një numër personash për t’i ardhur në ndihmë, që nuk dukeshin edhe aq të distancuar prej tij. Për më tepër, Bolsonaro uli maskën disa herë ndërsa fliste.
Mbështetësit ishin ndarë nga presidenti nga një rrip i vogël uji, por dy prej tyre arritën të kalonin në anën tjetër. Në një moment, një person iu afrua presidentit për ta takuar. “Faleminderit për besimin”, u tha Bolsonaro. “Dua që qeveria të jetë për ju të gjithë”.
Të dielën, Ministria e Shëndetësisë në Brazil, raportoi për 23 529 raste të reja me koronavirus në vend, që e çojnë shifrën totale të rasteve të konfirmuara në 2 098 389. Gjatë të njëjtës periudhë, u raportuan edhe 716 viktima, me numrin total që arrin në 79 488. (A2 Televizion)