Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet e dekriminalizimit për kryebashkiakun e Librazhdit, Kastriot Gurra. Ai u denoncua nga një shoqatë lokale se kishte fshehur disa probleme me drejtësinë.
Nga verifikimi i prokurorisë ka rezultuar se Gurra ka qenë i shpallur në kërkim policor në shtator-dhjetor 2008, bazuar në një urdhër-ndalim të prokurorisë Elbasan, pas dyshimeve për "falsifikim dokumentesh". Ai nuk është ndaluar, pasi urdhër-ndalimi nuk është ekzekutuar asnjëherë.
Më pas, prokuroria e ka pushuar çështjen pa e kaluar fare në gjykatë dhe ka anuluar "urdhër ndalimin". Po ashtu, rezulton se nuk është zhvilluar ndonjë seancë për caktimin e ndonjë mase sigurimi ndaj tij.
Shkresa e prokurorisë do të shqyrtohet nga KQZ-ja e cila do të marrë vendim nëse Gurra është në shkelje apo jo të ligjit për dekriminalizimin, çka mund t’i vërë në diskutim vijimin e mandatit.
Pritet që prokuroria të mbyllë këto ditë edhe hetimin për kryebashkiakun e Mallakastrës dhe atë të Matit. (A2 Televizion)