
Institucionet publike tashmë kanë nisur raportimin pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që do të duhet të reagojë nëse vëren përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor për vendoret e 14 majit. Në faqen online të KQZ janë bërë publike axhendat e takimeve mes të cilave figuron edhe Presidenti i Republikës.
Kreu i shtetit njofton Ilirjan Celibashin se në datën 21 janar do të jetë prezent në aktivitetin në kuadër të 103 vjetorit të Kongresit të Lushnjes.
Me rastin e 103 vjetori të Kongresit të Lushnjes do të zhvillohet vizita e Presidentit të Republikës në shtëpinë ku u mbajt ky Kongres. Folës kryesor Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Zelli i presidentit të kujton shprehjen “Më katolik se Papa”, pasi ai nuk ka detyrimin të marrë leje nga KQZ për aktivitetin e tij, që gjithsesi,në fushatë apo jo, ka detyrimin kushtetues të jetë i barazlarguar nga palët politike.
Kodi Zgjedhor parashikon raportimin 4 muaj para zgjedhjeve të aktivitetit të drejtuesve të institucioneve, me qëllim që burimet shtetërore të administratës të mos abuzohen për të ndikuar gjatë fushatës elektorale.
Qëllimi i këtij vendimi është vendosja e rregullave në funksion të marrjes së masave, monitorimit dhe parandalimit të veprimtarive të ndaluara, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike, të institucioneve qendrore e vendore, si dhe të administratës shtetërore, gjatë periudhës katër muaj para zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, me synim garantimin dhe sigurimin e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve dhe të partive politike.
Zotimi për të zbatuar Kushtetutën dhe frika nga paragjykimi mesa duket ka bërë që kreu i shtetit të jetë edhe më transparent nga çfarë i kërkohet me veprimtarinë e tij, ku për daljet publike si Kryetar i Shtetit duket se kërkon tani më aprovimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pa e pasur këtë detyrim. (A2 Televizion)