
Presidenca ka zbardhur arsyetimin përse ktheu në Kuvend aktin normativ të miratuar së fundmi për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike, i njohur ndryshe si paketa anti-KÇK.
Sipas presidentit, Ilir Meta ky akt normativ shkel disa nene të Kushtetutës dhe bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.
Ligjet që shkel paketa anti-KÇK sipas Presidentit
Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;
Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;
Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;
Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
Sipas presidentit Ilir Meta lufta ndaj kriminalitetit në vend është detyrim i përhershëm i qeverisë, ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga krimi, janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara me ligj. (A2 Televizion)