
Nga rakia, te hudhra, në një situatë të vështirë pandemia shumë produkte janë përmendur si efektive për shërimin ndaj koronavirusi, por asnjëherë të mbështetura në fakte.
Shpesh, kanë qenë edhe personalitete të njohur, me pushtet, që kanë bërë deklarata të forta mbi koronavirusin, e fundit është dhënë nga Presidenti i Turkmenistanit, Gurbangouly Berdymoukhamedov. “Shkencëtarët në të gjithë botën po hulumtojnë për gjetjen e një kure efektive ndaj Covid-19 dhe një prej tyre mund të jetë rrënja e jamballit”, ka thënë Berdymoukhamedov, por pa asnjë mbështetje në fakte shkencore.
Duke vënë në dukje se Turkmenistani ka rezerva të mjaftueshme të jamballit, presidenti udhëzoi Akademinë e Shkencave në këtë shtet të kryejnë studime mbi efektet e pretenduara.
Jamballi është një bimë bishtajore në formën e shkurres. Ka një kërcell të gjatë, me gjethe vezake, me lule të mbledhura në vile dhe me rrënjë të fuqishme të drunjta. Kjo rrënjë e ëmbël përmban glycirizinë, një përbërës që rezulton të jetë 50 herë më i ëmbël se mjalti. (A2 Televizion)