Në ditën e Krishtlindjes, 9750 doza me vaksinën kundër koronavirusit nga kompania Pfizer-BioΝTech kanë mbërritur edhe në Greqinë fqinje, ndërsa vaksinimi pritet të fillojë menjëherë.
Vaksinat do të ruhen në zona të veçanta, që plotësojnë të gjitha specifikat e nevojshme dhe nga aty do të shpërndahet në qendrat e vaksinimit. Mjekët në vijën e parë të luftës ndaj koronavirusit do të jenë të parët që do të vaksinohen.
Më 27 dhjetor, vaksinat e para do të kryhen në spitalet e Atikës. Ndërkohë, ditën e diel do të vaksinohen edhe Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou dhe Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Pas të dielës, do të vijojë vaksinimi edhe në spitalet e rajoneve të tjera. Deri më 30 dhjetor, në Greqi pritet të mbërrijnë edhe 83850 vaksina nga Pfizer. Deri në fund të marsit, Greqia do të marrë më shumë se 1,2 milionë doza nga kompania Pfizer-BioNTech. (A2 Televizion)