“Presim fundin e hetimeve”, Rusia thotë se avioni i Prigozhin mund të jetë rrëzuar qëllimisht

Nga A2 CNN
30 Gusht 2023, 15:49 | Bota
“Presim fundin e hetimeve”, Rusia thotë se avioni i Prigozhin

Rusia thotë se avioni që i mori jetën Yevgeny Prigozhin mund të jetë rrëzuar qëllimisht.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foli si asnjëherë më parë lidhur me incidentin që vrau rrethin drejtues të grupit famëkeq të mercenarëve Wagner më 23 gusht.

Ai konfirmoi se hetuesit rusë po shqyrtojnë disa pista të ndryshme, përfshirë atë të një sulmi të qëllimshëm.

“Duhet të presim rezultatin e hetimeve”, nënvizoi Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit përjashtoi mundësinë e një hetimi ndërkombëtar lidhur me zbardhjen e shkaqeve për rrëzimin e avionit të Wagner.

Zakonisht incidentet ajrore shqyrtohen nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, por Peskov tha se rrethanat janë krejtësisht ndryshe tani.

“Situata me këtë rrëzim avioni është plotësisht e ndryshme nga të tjerat”, u shpreh ai.

Vdekja e Prigozhin, ka ngjallur mjaft interes në botë, ndërsa nuk kanë munguar as teoritë e konspiracionit. Një analist në Rusi pretendon se kreu i Wagner nuk ka vdekur, ndërsa disa ekspertë të tjerë fajësojnë autoritetet ruse për rrëzimin e avionit.

Kremlini i ka mohuar këto akuza.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos