Prespa e vogël, nga liqen në moçalishte, pasoja në ekosistem

Nga A2 CNN
23 Qershor 2021, 14:26 | Aktualitet

Liqeni i Prespës së Vogël, tanimë do të kujtohet si një pellg ujor që ekziston vetëm në libra dhe dokumente. Në realitet, liqeni është kthyer në një moçalishte e mbuluar nga kallamishtet.

Dikur ky liqen përdorej për peshkim dhe plazh, ndërsa sot është e vështirë edhe ta shquash mes bimësisë së egër.

Banorët e zonës tregojnë me dhimbje se si ka qenë liqeni dhe ajo që është më kryesorja si u shërbente banorëve të zonës. “Uji përpara ka qenë i pastër, këtu peshkonim. Nuk hyn dot me varkë tashmë”, thonë banorët.

Për ekspertin mjedisor, Arian Merolli, tharja e liqenit i ka dhënë efekte dhe në florë dhe faunë, ndërsa shpresat për rigjenerimin e tij janë thuajse zero.

Eksperti mjedisor Arian Merolli

“Pasojat në ekosistem do të jenë të mëdha. Pjesa me ujë është më pak se 10%, më pas është një ligatinë dhe një zonë me dendësi të madhe të kallamishteve, si rezultat i dekantimeve të aluvioneve që vijnë nga lumi i Devollit”, thotë ai për A2.  

Liqeni i Prespës së Vogël në letra mbetet edhe pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës, por degradimi i tij në këtë masë ka bërë që në realitet liqeni mos të duket më. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos