Prezantohet pjesa e tretë e ndihmës mjekësore të BE-së kundër COVID-19

Nga A2 CNN
18 Qershor 2020, 18:10 | Aktualitet

Sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, kanë prezantuar pjesën e tretë të ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në kuadër të mbështetjes për përballimit e situatës së shkaktuar nga COVID-19.

Bëhet fjalë për 100 shtretër reanimacioni, 30 elektrokardiograma si dhe  pajisje të tjera që do të ndihmojnë në përballjen e situatës.

“Më duhet t’ju them që këto janë disa nga pajisjet më të mira që ekzistojnë në treg dhe që janë blerë për t’u sjellë në Shqipëri, kjo për të ndihmuar Shqipërinë, sistemin shëndetësor, por në veçanti ata që janë në vijën e parë, mjekët, infermierët sepse ne duhet ta vazhdojmë këtë luftë, kjo luftë nuk ka marrë fund ende”, deklaroi ambasadori Soreca.

Ogerta Manastirliu dhe Luigi Soreca

Nga ana e saj ministrja Manastirliu shtoi se po bëhen të gjitha për të pasur përgjigjen e duhur ndaj situatës.

“Sot çdo mjek, çdo infermier, çdo punonjës i shëndetësisë ka të gjithë materialet e mbrojtjes personale për të qenë sa më i mbrojtur në përballje me COVID-19. Nga ana tjetër edhe terapitë e mjekimit nuk mungojnë. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që të vijojmë me të njëjtin ritëm. Por është e nevojshme që të kemi bashkëpunimin e të gjithëve”, tha Manastirliu.

Para disa ditësh mbërritën në Shqipëri 5 autoambulanca, 15 respiratorë transporti, si dhe një seri aparaturash që forcojnë kapacitetet e reanimacioneve ne spitalet shqiptare, pjesë e ndihmës prej 4 milionë euro të Bashkimit Europian për Shqipërinë për përballimin e COVID-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos