
Durrësi është qarku i dytë pas Tiranës me numrin më të lartë të personave aktivë të infektuar me koronavirus.
Shtimi i rasteve ditët e fundit, ka ngritur në alarm të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe natyrisht edhe policinë. Duke qenë se rritja e numrit te personave të infektuar me Covid-19, sipas institucioneve shëndetësore në vend, ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës nga qytetarët dhe subjektet tregtare, drejtori i policisë së qarkut të Durrësit i është drejtuar me një apel qytetarëve durrsakë dhe në mënyrë të veçantë personave të infektuar që duhet të qëndrojnë në izolim.
“Personat që janë të infektuar me Covid janë të monitoruar 24 orë nga policia. Atyre u është bërë e qartë të qëndrojnë në ambiente të izoluara”, u shpreh Lorenc Shehu, drejtor i policisë qarku Durrës.
Aktualisht, qarku i Durrësit ka 132 raste aktive me koronavirus, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 6 raste të reja. (A2 Televizion)