
Çështja e strehimit të refugjatëve afganë është një prej temave kryesore të ditëve të fundit në mbarë botën dhe vendin tonë.
E gjitha kjo pasi edhe kryeministri Edi Rama ka pranuar të strehojë një numër të konsiderueshëm nga këta refugjatë, gjë që ka gjetur mbështetjen si rrallë herë dhe nga opozita.
E pikërisht këtij qëndrimi të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit të saj i ka kushtuar një shkrim dhe gazeta britanike “The Guardian”.
Kryeministri Rama është shprehur mes të tjerash në të përditshmen britanike se Shqipëria do të presë refugjatët afganë, pasi e ka përjetuar vetë sesi është të jetosh në diktaturë.
“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë”, u shpreh Rama.
Ai bëri thirrje që vendet e mëdha të tregojnë më shumë solidaritet dhe të mos iu kthejnë kurrizin këtyre njerëzve në vështirësi.
“Nuk e kuptoj, se si vendet më të pasura mund t’i kthejnë shpinën këtij problemi kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë”, shtoi kryeministri për median britanike. (A2 Televizion)