Historitë me komisionerë të lodhur e të sëmurë duhet të marrin fund dhe ajo parti që i bën këto është diskredituese për partinë. Këtë paralajmërim dha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga njësia 10 ku shpalli rezultatin e votimit elektronik të zgjedhësve. Sipas tij, kërkesa për pushim e komisionerëve është tregues i mungesës së vullnetit të partive
“Besoj që rezultati do të dalë brenda 48 orëve, ka disa probleme në disa KZAZ me mënyrën se si grupet e numërimit po e zhvillojnë procesin. Janë sporadike si raste, por meritojnë vëmendjen e partive dhe lidershipin përkatës, kërkesa për pushim e komisionerëve është tregues i mungesës së vullnetit për të përmbushur detyrimet ligjore për rezultatin. Partitë duhet të kenë marrë masat që nëse anëtarët e numërimit lodhen të kenë gati anëtarët e rinj. KQZ ka marrë masat të trajnojë në mënyrë të menjëhershme”.
I pyetur për tërheqjen nga gara të Tom Doshit, ai tha se do të vlerësohet në përputhje me parashikimet e kodit Zgjedhor
“Akoma nuk e kemi vlerësuar, por do ta vlerësojmë në përputhje me parashikimet e kodit”.
Sa i takon shpalljes së rezultatit të votimit në njësinë 10 në kryeqytet, Celibashi theksoi se ky votim është 100% i sigurt.
“Nga pikëpamja teorike dhe praktike ky rezultat duhet të ishte shpallur edhe më herët, por meqënëse ishte hera e parë që po e implementonim këtë mënyrë votimi dhe secila palë kishte merakun e vet u dakordësuam që ta shpallnim sot në orën 8 të mëngjesit. Mbetet fakti që sistemi i votimit elektronik është 100% i sigurt në ruajtjen e identitetit dhe sigurisë së votimit. Ne jemi dëshmitarë që për mënyrën se si janë përbërë komisionet zgjedhore, partitë politike kanë ndikim të madh, por nga raportimet e KQZ në administrimin e procesit ka pasur përmirësime”. (A2 Televizion)