Gazetarët e A2 CNN të zhvendosur në çdo qark të Shqipërisë po përcjellin hap pas hapi procesin zgjedhor në Shqipëri. Pas mbylljes së votimeve ka nisur procesi i numërimit, i cili po vazhdon në të gjithë vendin.
Në qarkun e Durrësit, procesi i numërimit po ecën me ritme të ngadalta. Gazetari Jul Kasapi ka informuar se procesi i numërimit ka nisur në orën 4 të mëngjesit të sotëm. Deri më tani, në qarkun e Durrësit, janë numëruar 60 nga 481 kuti: PS 9461, PD 6527, LSI 1165. Probleme ka pasur në KZAZ 22, ku PD ka tërhequr komisionerët. Në Bashkinë e Shijakut, janë numëruar 5 kuti të Maminasit. Pjesëmarrja në votime në Durrës ka qenë 45%.
Në qarkun e Elbasanit, PS ka një avantazh të dukshëm, i cili është më i thellë në bashkinë e Përrenjasit dhe Cërrikut, ku PS ka dyfishin e votave të PD dhe Aleancës për Ndryshim. Pjesëmarrja në këtë qark ka qenë e kënaqshme pak më e lartë se 2017, por jo me diferencë të madhe. Gazetari Gazmend Janku raporton se nëse gjatë gjithë ditës do të vijohet me numërimin do të kemi një rezultat më të qartë rreth mesnatës.
Në Kukës, puna nuk ka ndaluar dhe janë numëruar 24 kuti nga 73, ku PD kryeson me 2900 vota, kurse PS, 1890 vota. Numërimi ka vijuar dhe në Tropojë ku janë numëruar 17 kuti nga 40 dhe kryeson PD me 2967 vota, kurse PS me 1563 vota. Në Has, janë numëruar 20 kuti nga 28, PD me 3348 vota dhe PS me 1906 vota. (A2 Televizion)