
Probleme të reja ekonomike për grupin Suning, aksionerin kryesor të Interit. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane të specializuara në çështjet financiare, agjencia ndërkombëtare Fitch ka njoftuar falimentimin e grupit imobiliar kinez “Evergrande”.
Familja Zhang është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë biznes, pasi në vitin 2017 i kishte dhënë hua afro 2,6 miliardë euro.
Në vitin 2020, pronarët e Interit kishin rinegociuar marrëveshjen me grupin imobiliar, ku për të garantuar likuiditetin e kompanisë Evergrande hoqën dorë nga kthimi monetar i borxhit, duke qëndruar aty si aksionerë.
Ajo situatë ndikoi në mënyrë të dukshme edhe te klubi i Interit. Problemet e gjigandit të tregut imobiliar, shkaktuan rritjen e borxheve të kompanisë Suning, duke qenë se vlera e aksioneve ka rënë në mënyrë të ndjeshme gjatë muajve të fundit.
Vlerësimet e agjencisë Fitch vetëm sa e kanë rënduar situatën financiare të pronarëve të skuadrës zikaltër. Kjo edhe pas njoftimit se qeveria e Pekinit mund të vendosë të mos ndërhyjë për të shpëtuar grupin nga borxhet.
Kjo çështje e ka goditur rëndë Jindong Zhang, i cili e kontrollon Interin nëpërmjet Suning Holdings Group, pikërisht kompanisë që me investimin në tregun imobiliar humbi afro 2,1 miliardë euro. Një situatë, në të cilën grupi Suning mund të jetë i detyruar të shesë Interin. (A2 Televizion)