Vetëm 6,45% kursim nga tenderët, abuzimi 1,1 miliardë lekë

Nga A2 CNN
15 Mars 2019, 19:23 | Ekonomi
Vetëm 6,45% kursim nga tenderët, abuzimi 1,1 miliardë lekë

Qeveria është shumë pak e kursyer kur vjen puna tek tenderët, që fitohen gjithmonë në vlera pranë fondit limit. Një raport i Agjencisë së Prokurimit Publik tregon se gjatë vitit 2018 u akorduan mbi 91 miliardë lekë fonde nga procedurat e prokurimit, nga një fond total limit prej 98 miliardë lekësh. Kursimi për 5116 kontratat e dhëna arrin në vetëm 6,3 miliardë lekë, apo 6,45%. Në vitin 2017, ky raport arrinte në 8,3%, apo mbi 8 miliardë lekë.

Arsyeja për këtë fenomen shihet konkurrenca e dobët në procedurat me vlera të larta, ku garojnë mesatarisht 3,05 operatorë për çdo tender. Kjo shifër megjithatë është në përmirësim krahasuar me një vit më parë, kur garonin 2,98 operatorë për çdo procedurë prokurimi.

Nga ana tjetër, për procedurat me vlerë të vogël, mesatarja e ofertave arrin në 9,73, por duke pësuar rënie krahasuar me një vit më parë, kur ishte 10,63. Për vitin 2019, që përkon me një vit zgjedhor, ekspertët u druhen një uljeje të mëtejshme të konkurrencës në garë, çka mund të sjellë në një shpërdorim të parave të buxhetit.

Raporti i KLSH

Por sa abuzohet me tenderët? Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë vitit të kaluar ka konstatuar një dëm ekonomik prej 1,1 miliardë lekësh në fushën e prokurimeve publike. Nga ky dëm, 463 milionë lekë i takojnë shkeljeve në procedurat e prokurimit, ku përgjegjësit kryesorë janë bashkitë e vendit.

Ndërsa pjesa tjetër prej 691 milionë lekësh i takon shkeljeve në fazën e zbatimit të kontratave, ku dëmtuesi më i madh është Autoriteti Portual Durrës, me një dëm prej 175 milionë lekësh. Prokurimi publik zë gjithashtu 9% të ankesave të adresuara KLSH-së, duke u renditur si fusha kryesore e shqetësimit për publikun pas problemeve me privatizimin dhe kthimin e pronës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos