
Një mburojë sociale përballë krizës së rritjes së çmimeve dhe energjisë, është ajo çka qeveria e konsideron rritjen e ndihmës ekonomike me 10% në buxhetin e vitit të ardhshëm. Por kjo masë, e cila merr burim edhe nga rekomandimet e fundit të Bankës Botërore për të mbrojtur më të varfrit, është e pamjaftueshme për 62 mijë familjet që sot përfitojnë nga skema.
Që prej nisjes së pandemisë, pagesa e ndihmës ekonomike është dyfishuar, por përfitimi mesatar për familje është rritur pak. Pas reformës, ku shumë familje u larguan nga skema, shuma mesatare mujore që secila prej tyre përfiton u rrit nga 4,200 lekë në 5,800 lekë. Ndërsa sot është afërsisht 9,800 lekë në muaj. Për një familje prej 4 personash, kjo do të thotë më pak 2,500 lekë për individ.
Shpenzimet totale për ndihmës ekonomike arritën në 5.4 miliardë lekë vitin e kaluar, ndërsa këtë vit pritet të kapin vlerën e 7.3 miliardë lekëve. Një rritje me 10% do ta çonte fondin në afërsisht 8 miliardë lekë, apo 700 milionë lekë më shumë. Kur ndërkohë, vetëm pagesat e koncesioneve PPP me mbështetje nga buxheti do të rritet vitin e ardhshëm me 1 miliard lekë, në 15.4 miliardë në total: dyfishi i të gjithë skemës së ndihmës ekonomike.
Për shtresat e tjera që kanë nevojë për mbështetje sociale, si pensionistët, personat me aftësi të kufizuar apo të papunët, qeveria nuk ka deklaruar se do të ketë përfitime shtesë, krahas një indeksimi të përvitshëm të pensioneve, që në 6 vite është përkthyer mesatarisht në 10 mijë lekë të vjetra në xhepat e të moshuarve.
Ndërsa pagesa e papunësisë përgjatë qeverisjes së socialistëve është tkurrur në 505 milionë lekë në 2019-ën, nga 984 milionë lekë në 2012-ën, shifër që nuk u kapërcye as përgjatë vitit të pandemisë kur dhjetëra mijëra persona humbën zyrtarisht vendet e punës.
Përballë rritjes së çmimeve të fruta-perimeve, bukës, ushqimeve në tërësi e së fundmi krizës energjetike që rrezikon të shtrenjtojë çdo produkt tjetër në vend shqiptarët janë sot më të varfër. Madje më të varfrit në rajon, me 1/3 e popullsisë të llogaritur në varfëri ekstreme nga ana e Bankës Botërore. (A2 Televizion)