
Komisioni për Ekonominë dërgoi për votim në Kuvend projektligjin për Eurobondin e ri prej 700 milionë eurosh, me të cilin qeveria synon të dalë në tregjet ndërkombëtare në fillim të Nëntorit. Por mbledhja prodhoi mbi dy orë debate, ku deputetët e opozitës shprehën rezervat e tyre për mënyrën se si do të përdoret ky borxh.
Për socialistët, menaxhimi i duhur i borxhit është ai që ka gjeneruar një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike. Ndërsa frika nga rritja e normave të interesit është ajo që ka shtyrë qeverinë të rrisë më tej kërkesën për eurobondin, nga 500 në 700 milionë euro.
Deputetët shprehën shqetësim edhe për nivelin real të borxhit, si dhe për raportin e lartë që zë borxhi i jashtëm, që na rrezikon nga luhatjet e kursit të këmbimit. (A2 Televizion)