
Kodi i ri Penal që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë parashikon zgjerimin e gamës së krimeve zgjedhore. Projektligji përmban 6 nene më shumë sesa kodi aktual për krimet që prekin zgjedhjet e lira, duke kualifikuar si vepra penale, sjellje që nuk përcaktoheshin si të tilla, por edhe duke ashpërsuar masat e dënimit.
Për juristin Elis Bilali, ndryshimet reflektojnë problemet e vërejtura në proceset zgjedhore të kaluara.
Dënimi më i rëndë i parashikuar është ai i një dispozite të re për “tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve”. Sipas këtij neni, tjetërsimi i rezultatit nga funksionarët e ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve dënohet nga 5 në 10 vite burg.
Mes dispozitave të shtuara është ajo e pengimit të qytetarëve për të votuar, përmes kanosjes, dhunës, apo dëmtimit të dokumentit të identifikimit, por edhe për vepra penale në lidhje me listat e zgjedhësve.
Ndërkohë, mes ndryshimeve të parashikuara në Kodin Penal, reagim publik ka ngjallur neni për “cenimin e imazhit të personit”, i cili u interpretua në rrjet si një nen që ndalon “meme”-t. (A2 Televizion)