
Aksion të trefishtë kundër projektit të Portit të Durrësit. Këtë ka paralajmëruar kreu demokrat Sali Berisha nga mbledhja që zhvilloi me grupin e tij parlamentar, 1 ditë para seancës plenare ku do të miratohet me procedurë të përshpejtuar marrëveshja që I hap rrugë projektit.
“Meqenëse Edi Rama po vepron në mënyrë të rrufeshme për kalimin e ligjit për këtë marrëveshje, atëherë edhe nenë mënyrë të rrufeshëm të krijojmë komision hetimor parlamentar dhe ta dërgojmë edhe këtë në Gjykatë Kushtetuese. Duhet të parashikojmë edhe tjetër armë që kemi në dorë, protestat e fuqishme kundër kësaj grabitje të tmerrshme”, tha Berisha.
Ai pohoi se Shqipëria përfiton vetëm 200 euro në vit nga ky projekt, teksa bëri një krahasim me fitimet që sjell porti aktual për qytetarët. “Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet të pasanikëve të Bejrutit. Po ky është vetëm njëri mekanizëm plaçke. Shteti shqiptar nga marrëveshja e Edi Ramës fiton 200 euro në vit sipas ekspertëve. Kjo vjen në një kohë kur ai port shpërndan 4 milionë tonë mallra dhe tani do bëhet porti i jahteve të Ramës”.
Berisha e cilëson portin e Durrësit pasurinë më të madhe publike te vendit e për këtë arsye sipas tij PD duhet t’i dalë në mbrojtje me çdo kusht për të parandaluar atë që e quan aferën më të madhe korruptive. “Kaskadën, po e nxore në treg nuk ka vlerë në treg as sa gjysma e portit të Durrësit. Aeroportin po e nxore në treg, nuk ka vlerë as sa një e treta e portit të Durrësit. Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike, në këtë port janë investuar qindra e qindra milionë euro, dollarë. Vetëm së fundmi, janë investuar mbi 70 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Banka Europiane e Zhvillimit”. Berisha i bëri thirrje deputetëve të përgatisin amendamente për të ndryshuar projektbuxhetin e vitit 2023 që sipas tij është kundër interesave të qytetarëve. (A2 Televizion)