
Të dënuarit e burgut të Fushë-Krujës kanë nënshkruar një peticion për amnistinë, një projektligj që pritet të kalojë për votim së shpejti në Parlament. Projektligji parashikon amnisti për disa kategori siç janë të moshuarit, gratë dhe të miturit.
“Ne, të dënuarit e burgut Fushë-Krujë, kërkojmë që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse. Të mos ketë diskriminim meshkuj e femra në amnisti. Janë po këto deputetë që flasin për ditë që gjykatësit e prokuroret janë të korruptuar e ne nga këto gjykatës e prokurorë të korruptuar jemi dënuar”, thuhet në peticion.
“Gjykata e Lartë ka 2 vjet është mbyllur, sa çështje e persona do të liroheshin nga kjo gjykatë? Të mos harrojmë se po kërkojmë të na amnistohen vitet e fundit që na takon t’i marrim me kusht ose shërbim prove. Nuk e mohojmë, kemi gabuar e shumë nga ne jemi dënuar në mënyrë të padrejtë. Kërkojmë nga Parlamenti shqiptar që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo aq sa thotë ministria e Drejtësisë. Në çdo gjykatë shkruhet “para ligjit jemi të gjithë të barabartë”. Atëherë, amnistia të jetë e barabartë për të gjithë.
Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë në Parlament, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni tha se pas miratimit të këtij projektligji do të jenë 164 të dënuar që do të lënë qelitë. Ajo tha se sipas kësaj nisme, amnistohen të gjithë ata të cilët deri në datë 30/09/2019 kanë një vendim të formës së prerë dhe pavarësisht nga koha e mbetur e dënimit janë dënuar me këtë vendim për, 2 vjet për burrat, dhe 3 vjet për gratë dhe të miturit, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë duke përfshirë gjobën.
Kategoria tjetër që përfiton sipas këtij projektligji janë të dënuarit me burgim të cilët deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në dy vjet për meshkujt dhe 3 vjet për femrat.
Gjithashtu do të amnistohen femrat e dënuara, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë mbi moshën 50 vjeç, meshkujt të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë mbi 60 vjeç, si edhe personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç. (A2 Televizion)