Projektligji për SHÇBA, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore miratohet nga deputetët e Komisionit të Ligjeve

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2021, 17:21 | Aktualitet
Projektligji për SHÇBA, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

Komisioni i Ligjeve kaloi në parim projektligjin për SHÇBA, e cila kthehet në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë diskutimeve Adnor Shameti tha se ligji përafrohet me standardet e kërkuara që do transformojnë shërbimin për çështjet e brendshme dhe ankesat. Për këtë ai tha se gjatë diskutimeve nen për nen do dalin dhe problematikat.

Në vlerësimin e ministrisë, tashmë ky nuk do të jetë më një shërbim, por Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila mbart në vetvete dhe ndryshim kompetencash sa i takon pjesës operacionale. Ndryshimet janë që në krye të herës në fushën e zbatimit të ligjit.

Në ligjin e vjetër Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesat Ushtronte veprimtarinë e tij tek efektivët e policisë, drejtoria e ruajtjes së personaliteteve të larta si dhe tek struktura e mbrojtjes nga zjarri. Kjo e fundit hiqet, ndërsa agjencia ka për detyrë të kontrollojë personelin e Akademisë së Sigurisë.

Një tjetër risi ndryshe nga ligji i vjetër, ku atributet i kishte vetëm ministri i Brendshëm, tashmë struktura dhe organika e agjencisë do të përcaktohet me urdhër të kryeministrit si dhe me propozimin e ministrit të Brendshëm.

Një pikë e cila pritet të ketë debat edhe në diskutimet e komisioneve parlamentare është ajo e veprimtarisë informative të agjencisë. Sipas projektit, parashikohet se teknikat e gjurmimit apo mbikëqyrja e veçantë bëhet nga komunikime jo elektronike, por në nenin 26 tek masat e veçanta diçka e tillë ndryshon.

Ashtu si dhe në ligjin e Policisë së Shtetit, ku kërkohej përgjimi, tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore gjatë masave të veçanta mund të përdorë mjete, pajisje apo teknika të veçanta për identifikimin apo lokalizimin e vendndodhjes.

Diçka e tillë nënkupton pajisje gjurmuese, edhe pse më poshtë parashikohet që kushtet dhe rregullat vendosen nga ministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe ai i Prokurorisë së Posaçme.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos