Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, doli sot përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Në lidhje me pasurinë, sipas ILDKP prokurori “ka përcjellë një raport, sipas të cilit, Martini ka deklarim të saktë, nuk ka fshehje pasurie dhe konflikt interesi”.
Pasuri, apartament 97 m2 dhe garazh me vlerë totale 90 mijë euro dhe arredim 2 milionë lekë. Subjekti ka paguar 85 mijë euro dhe detyrohet 5 mijë euro. Si burim krijimi, subjekti ka deklaruar dy kredi të marra në 2007 dhe 2016, si edhe kursimet nga të ardhurat. Sipas dokumentacionit, shuma 50 mijë euro, kësti i parë, i paguar në 2015. KPK ka verifikuar dhe rezulton se shuma është krijuar në burime të ligjshme. Subjekti ka pasur burime të ligjshme edhe për pagesën e këstit të dytë dhe për arredimin e banesës. Në deklaratën vetting, subjekti ka deklarur 800 mijë lekë kursime. Martini ka deklaruar dhurime nga vëllai i tij në Angli, shuma që janë përdorur për shkollimin e djalit. Subjekti ka paraqitur dokumentacion justifikues për këto dhurime.
Përsa i përket figurës, DSIK konstaton përshtatshmëri për vazhdimin e detyrës. Nuk ka kontakte me krimin e organizuar. Edhe për aftësitë profesionale, raporti është pozitiv.
Prokurori Martini u shpreh: “Kam 20 vite në karrierë. Kam nisur në Krujë. Në vitin 1999 jam bërë prokuror në Lushnje. Nga 2004 kam qenë prokuror tek Krimet e Rënda. Në 2015, me një vendim të jashtëligjshëm, jam transferuar në Shkodër. Në 2016 jam kthyer tek Krimet e rënda. Në 2017 u komandova si titullar në Shkodër, ndërsa nga mesi i vitt 2018 jam tek Krimet e Rënda. Bashkëshortja ime është mësuese. Unë disponoj vetëm një banesë, si rezultat i dy kredive, një makinë dhe një garazh, që ende nuk e kam kaluar në pronësi. Gjatë karrierës sime kam hetuar raste të ndërlikuara dhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për këtë shkak, unë dhe familja ime kemi qenë në mbrojtje. Unë jetoja me qira afër komisariatit nr.2, e cila kishte porosi specifike për ruajtjen fizike time dhe anëtarëve të familjes sime. Kredinë e parë e përdora për blerjen e disa bonove thesari, për të pasur mundësi për të paguar qiranë. Disa vite më pas, bashkë me bashkëshorten, përveç kursimeve, mora dhe një kredi të dytë. Prenotova një banesë në 2015 dhe në fund të vitit 2017 jam futur në të”. (A2 Televizion)