
Kryeministri Edi Rama ka rrëzuar ditën e sotme të gjithë lajmet për një rritje të mundshme të çmimeve të biletave të transportit urban.
Në këtë moment të vështirë për këtë sektor, kreu i qeverisë bën me dije se do të ketë dhe një ndihmë për pronarët
“Të hënën 15 qershor rinis shërbimi i transportit urban dhe ndër urban, sipas protokollit të miratuar të sigurisë shëndetësore. Qeveria do ta mbështesë këtë sektor përmes:
• njohjes si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës
• zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020
Brenda 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe më 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë. Ndalohet kategorikisht rritja e çmimit të biletës për qytetarët”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.
Rinisja e transportit publik ishte një nga pikat më të vështira të rihapjes pas pandemisë për shkak të rrezikshmërisë së madhe të kontakteve mes njerëzve brenda hapësirave të mjeteve.
Një ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës njoftoi përmes një statusi në rrjetet sociale se ky shërbim për qytetarët do të nisë nën masa shumë të forta sigurie më 15 qershor, ku autobusët do të punojnë vetëm me 70% të kapaciteteve, ndërsa pasagjerët duhet të jenë të gjithë të pajisur me maska. (A2 Televizion)