
Kryeministri Albin Kurti konfirmon gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik. Konfirmimi vjen përmes një njoftimi nga qeveria e Kosovës, pas bisedës telefonike që Kurti ka pasur me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
“Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel”, theksohet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu bëhet me dije se theksi u vu edhe tek rëndësia e avancimit për Kosovën në proceset integruese ndërkombëtare. “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Ndërkombëtarët këmbëngulin për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, por që të dy palët kushtëzojnë bisedimet me themelimin e Asociacionit, apo njohjen reciproke. (A2 Televizion)