Propozimi franko-gjerman, KE: “Nuk jemi të informuar”. Kurti pranon diskutimet

Nga A2 CNN
13 Tetor 2022, 12:23 | Kosova
Propozimi franko-gjerman, KE: “Nuk jemi të informuar”. Kurti

Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe organizatat ndërkombëtare përfshirë, OKB-në, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në BE. Është ky në thelb propozimi që Franca dhe Gjermania i kanë paraqitur liderëve të Kosovës dhe Serbisë e që po diskutohet gjerësisht në media.

Ishte presidenti Aleksandar Vuçiç ai që e bëri të ditur lajmin pak ditë më parë. Pretendimet u konfirmuan edhe nga kreu i ekzekutivit të Prishtinës, ditën e mërkurë, i cili megjithatë u kujdes të sqaronte se nuk ishte një propozim për zgjidhje përfundimtare. “Ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova, por nuk mund të them që ka diçka të ngurtësuar që do ta prezantonim në formë përfundimtare”, tha Kurti.

Franca dhe Gjermania po angazhohen prej kohësh për të ndërmjetësuar një zgjidhje dhe kjo u konfirmua edhe gjatë samitit të parë të komunitetit politik europian në Pragë, kur Macron dhe Scholz u takuan me Vuçiç dhe presidenten Osmani. Duket se iniciativa e tyre po zhvillohet veçmas nga përpjekjet e Bashkimit Europian për lehtësimin e një marrëveshje.

I pyetur nga gazetarët, komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se nuk janë në dijeni të propozimit franko-gjerman, por se do të mund të kontribuonin për të. “Siç e ka shpjeguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai e ka pranuar këtë propozim nga Franca dhe Gjermania, prandaj mendoj se për këtë çështje është më mirë të flasin Berlini dhe Parisi. Ne nuk jemi në dijeni të një propozimi të tillë. Natyrisht, nëse ka një propozim të tillë, ne do të ishim më se të interesuar për ta parë. Jo vetëm për ta parë, por ndoshta edhe për të kontribuar”, tha ai.

Njohësit e çështjeve politike në Prishtinë dhe Beograd, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se një propozim i tillë Kurtit dhe Vuçiçit u është paraqitur përmes këshilltarëve për dialogun Kosovë-Serbi, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Megjithatë, ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë nuk kanë konfirmuar se shtetet e tyre përkatëse kanë një nismë apo dokument-propozim që do të mund të ishte një kornizë e re e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos