Propozimi i BE për Kosovën dhe Serbinë, Kurti dhe Vuçiç takuan veçmas Borrell dhe Lajçak në Bruksel

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2023, 17:08 | Kosova
Propozimi i BE për Kosovën dhe Serbinë, Kurti dhe

Ka nisur me një atmosferë tepër pozitive raundi i ri i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pari që zhvilloi një bisedë bilaterale me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Joseph Borrel dhe ndërmjetësuesin, Miroslav Lajçak.

Temë kryesore diskutimi ka qenë takimi i nivelit të lartë dhe propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Menjëherë pas Kurtit, në tryezën katrore zuri vend presidenti I Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Edhe biseda e tij me zyrtarët e BE-së pati të njëjtën temë, pranimin e propozimit evropian si kornizë për marrëveshjen përfundimtare. Kjo do të pasohet nga takimi më i rëndësishëm, ku përballë do të vihen në të njëjtën tryezë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç.

Në Bruksel gjendet edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Deri tani nga palët negociuese nuk ka ndonjë deklaratë për mediat, por më herët kreu i qeverisë së Kosovës kërkoi që një ujdi me njohje reciproke të arrihet brenda këtij viti.

Ndërsa Presidenti serb, njoftoi se në bisedime nuk do të kapitullojë dhe se nuk do të kthejë situatën e viteve ’90. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në nisje të takimeve, këshilloi palët që të sillen si evropianë dhe të arrijnë në mënyrë urgjente progres drejt marrëveshjes finale.

Peter Stano: Duhet urgjentisht progres, presim sjellje europiane

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, sot, para takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel tha se gjithçka varet nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë që të pajtohen për të ecur përpara.

Në një konferencë për media, Stano u shpreh se Brukseli pret sjellje evropiane për të ecur përpara drejt arritjes së progresit në dialog.

“Përvoja nga e kaluara na mësoi të gjithëve që të mos përpiqemi të parashikojmë asgjë sepse mund të shkojë në një tjetër mënyrë, por gjithçka në thelb varet nga aftësia e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb për të rënë dakord për rrugën përpara. Sa i përket pritshmërive të Bashkimit Evropian, kur është fjala për dialogun në përgjithësi është thënë shumë herë se ne presim sjellje evropiane për të ecur përpara drejt arritjes së progresit në dialog, sepse dialogu çon drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, rrugën drejt BE-së, dhe aspiratat e BE-së të Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dhe ajo që na nevojitet vërtet urgjentisht është ecja përpara, në mënyrë që të mos kemi atë që kemi pasur gjatë muajve të fundit, në fakt, gjatë disa muajve. Pra, ne kemi nevojë për sjelljen evropiane në mënyrë që të ecim përpara për të arritur përparim që na shtyn drejt qëllimit përfundimtar të dialogut, që është marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në të mirë të njerëzve nga të dyja palët në Kosovë dhe në Serbi.” (A2 Televizion)

PETER STANO, ZËDHËNËS I BE
https://a2news.com/2023/02/27/shba-dhe-be-shtojne-trysnine-per-dialogun-dash-propozimi-europian-mundesi-e-mire-per-dy-popujt/
https://a2news.com/2023/02/27/takimi-me-vucic-ne-bruksel-lideret-europiane-leter-kurtit-finalizoni-dhe-zbatoni-marreveshjen/
https://a2news.com/2023/02/27/kurti-dhe-vucic-takohen-ne-bruksel-bruime-te-be-pritet-te-pranojne-propozimin-pa-diskutime/

A2 CNN Livestream

Latest Videos