
Propozimi i Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është i fundit në radhën e deklaratave dhe thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar gjatë këtyre ditëve, me qëllimin për të shtyrë Prishtinën dhe Beogradin të avancojnë në procesin e dialogut.
Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.
“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.
Këshilltari i lartë i DASH, Derek Chollet, tha një ditë më herët ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Ai i ka bërë këto deklarata pas një bisede telefonike qe zhvilloi me të dy liderët.
Departamenti i Shtetit ka përsëritur gjithashtu thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut, përfshirë atë për asociacionin. I njëjti mesazh erdhi të dielën edhe nga tre liderët europianë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, të cilët përmes një letre theksuan rëndësinë e arritjes së pajtueshmërisë dhe zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme. (A2 Televizion)