
Në prag të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksander Vuçiç në Bruksel, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, në një sinjal të qartë trysnie për të shkuar drejt zgjidhjes. Emanuel Macron, Olaf Sholc dhe Giorgia Meloni e kanë mirëpritur vendimin e Kurtit për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, por kanë theksuar nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.
“Ne i mirëpresim deklaratat e fundit publike, që pohojnë se jeni gati ta pranoni propozimin evropian për një marrëveshje bazë. Ne besojmë se tani është urgjente të vendoset rruga përpara me synimin për të përfunduar këtë marrëveshje dhe për të siguruar zbatimin e saj në bazë të tekstit për të cilin keni rënë dakord.”
Tre liderët europianë i kërkojnë Kurtit, por edhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjet për të cilat janë zotuar, përfshirë ato për krijimin e asociacionit. Nga kjo, sipas tyre, do të përfitonin qytetarët dhe do të avancohej drejt integrimeve europiane.
Edhe këshilltari i lartë i DASH, Derek Chollet, tha më herët se i kishte kërkuar kryeministrit Kurti se tani është koha për të diskutuar mbi asociacionin. I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.
I njohur në publik si plani franko-gjerman, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Ai nuk përmend specifikisht njohjen, por u kërkon palëve të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. (A2 Televizion)