
Banorët e “Astirit” në Tiranë kanë protestuar sot për më shumë se 1 orë përpara Bashkisë së Tiranës, më shpresën e një përgjigjeje dhe një takimi me Kryebashkiakun Erion Veliaj. Banorët kërkuan edhe sot që shtëpitë e tyre të mos preken, pavarësisht se është vendosur që ato të shemben pasi janë pjesë e projektit për ndërtimin e unazës së madhe.
Ata shprehen se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me dëmshpërblimet, ndërsa shtojnë se shteti po i nxjerr në qiell të hapur. “Fuqia e njerëzve është më e madhe se njerëzit në fuqi”, kjo është një nga banderolat më të mëdha që protestuesit mbajnë në duar.
Një nga përfaqësuesit e banorëve tha se ata duan shpërblim 100%. Po ashtu ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që mos të tregohen arrogantë me këta banorë.
PD: Projekti, skemë korruptive
Deputetë demokratë mbështetën protestën, ndërsa nga selia blu, zëdhënësja Ina Zhupa publikoi dokumentet, të cilat, sipas Partisë Demokratike, vërtetojnë se si janë parapërcaktuar 3 fituesit e projektit me vlerë 40 milionë Euro: “Skema korruptive është e qartë. Fituesit janë të tre të paracaktuar sepse në tre tenderë të ndryshëm ka qenë vetëm një ofertues i vlefshëm, ndërsa pjesëmarrësi i dytë është futur për të legjitimuar tenderin dhe nuk ka bërë asnjë ofertë”.
Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike foli për kompani “offshore” dhe nën sekuestro, ndërsa Zhupa zbuloi emrat e tyre: “Kompania DH Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysmë para hapjes së tenderit, nën emrin e kompanisë mëmë Dunwell Haberman ltd. Kompania mëmë e saj është kompani offshore, me pronarë të panjohur, e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që njihet si parajsë fiskale. Kompania tjetër, Biba X, ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para se të shpallej fitues i tenderit prej 18 milionë euro. Kompania Biba X, ka qenë nën sekuestro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re”.
Partia Demokratike bëri thirrje që banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe t’u jepet dëmshpërblimi i plotë, ndërsa siguroi se kur të vijë në pushtet do u kthejë shqiptareve paratë e vjedhura përmes ligjit anti-mafia. (A2 Televizion)