Demokratët e kishin quajtur “protesta e dritës” por nuk pritën të binte muzgu për ta ndriçuar. Bombat Molotov ishin risia e protestës së katërt kombëtare të opozitës, e cila u ndez menjëherë sapo në Bulevardin Dëshmorët e Kombit mbërriti kryedemokrati Basha. Selia e Kryeministrisë ishte objektivi kryesor i sulmit, ndërsa Garda vëzhgonte nga dritaret e gatshme për të ndërhyrë. Zëri i Lulzim Bashës në sfond shoqëronte serinë e shpërthimeve. Flakëve nuk i shpëtoi as godina e Kryesisë së Kuvendit. Përvec hyrjes së saj, protestuesit hodhën bomba Molotov edhë në drejtim të zyrës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Disa u kapën në befasi. Të tjerë patën nevojë për ndihmën mjekësore. Nga podiumi, Lulzim Basha paralajmëroi se nuk ka tërheqje. Mbrëmja i dha mundësi kreativitetit. Përveç bliceve të celularëve që, organizatorët projektuan sloganet e tyre edhe në fasadën e Kryeministrisë. Pas dy orësh protesta u spostua para selisë së Parlamentit, ku tensioni ishte shumë më i lartë. Bombat Molotov u hodhën direkt ndaj efektivëve të policisë. Përveç kundërpërgjigjes me një sasi të konsiderueshme gazi lotsjellës, forcat e ndërhyrjes së shpejtë për herë të parë dolën në rrugë bashkë me makinat ujëhedhëse për të shpërndarë protestuesit, ndërsa skena mori trajtën e një guerilje urbane. Sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi u ndalua pasi u godit me shkop gome, ndërsa ish-deputetja Albana Vokshi u largua me forcë. Nora Malaj dhe Monika Kryemadhi e LSI-së nuk i kursyen tonet kërcënuese. Për të kërkuar lirimin e Sait Dollapit, protesta u spostua para drejtorisë së Policisë, por edhe këtu blutë ndërhynë për të shpërndarë turmën. Pak minuta para mesnatës Basha u tërhoq në seli ku thirri një mbledhje urgjente të Kryesisë, gjë që shënoi edhe fundin e protestës. Bashkë me aleatet, demokratët vendosën të thërrasin një tjetër protestë të hënën në orën 18:30. (A2 Televizion)
Protesta e opozitës, molotov Kryeministrisë dhe Parlamentit
