LIVE, protesta e opozitës
21:10 - Mbyllet protesta e opozitës
Pas fjalës së kryetarit të PD, Sali Berisha, është mbyllur edhe protesta e opozitës, e cila zgjate vetëm pak minuta më shumë nga sa ishte parashikuar nga organizatorët e saj.
21:07 – “Boll vodhe, ik”/ Berisha: Ramës do t'i presim biletën. Ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë!
"Edi Rama, nga ky shesh, në emër të qytetarëve shqiptarë të bëj thirrje, boll vodhe, ik. Shqipëria është në rrezik sepse në rrezik është e ardhmja e saj. Një komb që lind dhe rrit fëmijë për emigracion, është një komb pa rini, po të ardhme. Edi Rama në 5 vite largoi 540 mijë të rinj dhe shqiptarë nga Shqipëria. As Çubrilloviçi nuk do kishte ndjekur një politikë tjetër ndaj shqiptarëve. Edi Rama ka një urrejtje gjenetike ndaj shqiptarëve, sepse i përket atij soji që vriste, ekzekutonte, burgoste, qytetarët shqiptarë dhe që e dinte që ata të shtypur i urrenin për vdekje bllokmenët hoxhistë. Për të gjitha këto qëndrime, ne do t'i presim atij biletën dhe ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë".
21:04 - Berisha: Betohemi para flamurit kombëtar. Votën kurrë nuk ia falim Edi Ramës. S'e njohim pushtetin e vjedhur
"Edi Rama, jemi sot këtu për t'u betuar para flamurit të kombit, se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin mbi votën e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje. Mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë. Jemi vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të votojnë të lirë. Edi Rama, ti këto kohë, këto vite, je treguar armik i fjalës së lirë. Je treguar armik i egër i fjalës së lirë. Ti ke përdorur metodat e frikës dhe terrorit për të zhytur shqiptarët në heshtje dhe mbyllur gojën e tyre. Ti ke përdorur tendera për të blerë mediat e vendit. Vërsulesh dhe shan me gjuhë ordineri gazetarët vetëm se ata bëjnë detyrën e tyre. Jam këtu për të garantuar shqiptarët se fjala e lirë do të jetë motoja jonë, beteja jonë dhe ata që guxojnë të prekin fjalinë do të mjerohen".
20:52 - “Jemi armiq Edi Rama” Berisha: Orët e tij janë të numëruara
Me thirrjet “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nisi fjalën e tij në protestën e opozitës.
“Ju jeni sot këtu sepse nuk pranoni më që qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të lirive dhe të drejtave të dhunuara. 32 vite më parë, kur themeluam partinë e parë opozitare, diktatori i fundit komunist dhe partia shtet, kishin në duart e veta të gjitha pushtetet. Sot, pasardhësi i tyre, Edi Rama, t’ia mbathë me gjithë se ka të gjitha pushtetet, ka vendosur monizmin e plotë, përsëri ia mbathi. Orët e tij janë të numëruara”, tha Berisha.
“Në emër tuaj, i them Ramës: Edi Rama, ne të dy, sot, jemi armiq. Jemi armiq! Po pse jemi armiq? E hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Sepse ti Edi Rama, ke për ideal, pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin. Kurse unë, me këta burra, djem dhe vajza, kemi për ideal lirinë dhe vetëm lirinë. Ne jemi armiq Edi Rama, sepse ti pushtetin e do për të varfëruar qytetarët, kurse unë lirinë e dua për t’u kthyer shqiptarëve dinjitetin. Ne nuk veprojmë në pabesi, kur të themi mbathja, do t’ia mbathësh”.
20:45 - Berisha: Rama ia mbathi sonte
“Qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Të pranishëm në këtë uragan, uraganin e lirisë. Mirënjohje për ju, që u bashkuat në shesh, duke u bërë kështu një burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët. Sonte më shumë se kurrë, mendjet, zemrat e shqiptarëve janë të drejtuar te ju. Shqipëria është në rrezik, ishte kushtrimi që u ngriti ju në këmbë për ta shpëtuar atë”, tha ai.
20:40-Kryemadhi: I vetmi flamur partie është flamuri ynë kombëtar
Në protestën e opozitës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh se Shqipëria është sot në rrezik më shumë se kurrë sepse Rama është një vegën e grupeve antishqiptare.
Kryemadhi u shpreh se flamuri i vetëm i partie në këtë protestë është ai kombëtar.
“Paratë tuaja shkojnë në llogaritë e inceneratorëve të Ramës. Paratë tuaja i fusin e xhepin e tyre dhe ju iu nxjerrin të përballeni me familjarët tuaj. Na jepni forcë të përballemi me këtë situatë.
Në këtë takim të jashtëzakonshëm, ne sot me shumë se kurrë japim mesazhin e fortë se i vetmi flamur partie është flamuri ynë kombëtar. Ky flamur i bukur ka gjakun e mijëra shqiptarëve që dhanë jetën për Shqipërinë. Ky flamur është motivi ynë për Shqipërinë tonë europiane. Ky flamur ka rëndësinë më të madhe sepse Edi Rama me Open Balkan kërkon ta çnderojë”, tha Kryemadhi.
19:42 – Humbet ndjenjat një person në protestë. Policia e shoqëron te ambulanca.
19:21-Ish-kryeministri Sali Berisha del nga Selia e PD dhe i drejtohet sheshit para Kryeministrisë. Kreu i PD shoqërohet nga mbështetës të shumtë që e prisnin në oborrin e godinës së demokratëve.
19: 09- Ka nisur zhvendosja e personave pjesëmarrës në protestën e opozitës drejt sheshit para kryeministrisë. Protestuesit qëndruan në sheshin ‘Skënderbej” dhe “Nënë Tereza” dhe po lëvizin drejt godinës së Kryeministrisë.
18:44 – Sali Berisha u bashkohet protestuesve në selinë e Partisë Demokratike.
Pak minuta para nisjes së protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, kryetari i zgjedhur Sali Berisha ka mbërritur në Selinë Blu.
Ish kryeministri është pritur me ovacione nga mbështetësit e shumtë që kishin mbushur oborrin e godinës së Partisë Demokratike.
Berisha përshëndeti të pranishmit dhe hyri në Selinë Blu, nga do të nisë më pas dhe marshimi drejt sheshit para kryeministrisë.
18:30 – 20 persona do të mbajnë fjalën, Berisha flet i fundit, para tij Kryemadhi
Mësohet se do të jenë 20 persona që do të marrin fjalën në proteste dhe i fundit do të jetë Sali Berisha. Ndër deputetët që do të flasin janë Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Agron Shehaj.
18:25 - Me qindra efektivë rrethojnë kryeministrinë, nuk mungon makina e ujit
Ndërsa me qindra protestues kanë nisur tashmë të grumbullohen te sheshin “Skënderbej” për të shkuar më pas përballë kryeministrisë, aty tashmë janë vendosur forcat e rendit, ku nuk mungon as makina e ujit.
18:15 - Pak pas orës 18:00 ka nisur edhe ardhja e qytetarëve nga rrethe të ndryshme të vendit për t’iu bashkuar protestës së opozitës, e cila është parashikuar të nisë në orën 19:00, përballë kryeministrisë.
17:00 - Nga disa rrethe të vendit janë nisur qytetarë për të marrë pjesë në protestën e opozitës, e cila do të nisë në orën 19:00 në Tiranë.













Mësohet se protestës së opozitës do t’i bashkëngjiten edhe qytetarë nga qarku i Kukësit.
Vetëm nga qyteti i Kukësit dhe zonat përreth janë nisur rreth 2000 anëtarë të PD, simpatizantë dhe qytetarë me autobus dhe makina private, ndërsa nga Hasi janë 800 demokratë që kanë udhëtuar me makinat e tyre në drejtim të Tiranës edhe afro 1200 mbështetës janë nisur nga Tropoja për të protestuar në Tiranë.
***
Opozita është rikthyer këtë të enjte para kryeministrisë në një protestë, kësaj here e thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit nga anëtarësia.
Me moton “Shqipëria në rrezik”, Sali Berisha ka mbledhur kësaj here të gjithë aleatët, madje dhe LSI, për të protestuar kundër keqqeverisjes, rritjes së çmimeve, largimit të qytetarëve etje.
Kësaj proteste i janë bashkuar dhe qindra mbështetetës nga qytetet e tjerë të Shqipërisë, të cilët kanë udhëtuar drejt kryeqytetit me makina private, që t’i bashkohen këtij tubimi, që për shumë analistë do të jetë dhe një provë për Sali Berishën.
Policia e Shtetit është në gatishmëri për këtë protestë, ku mësohet se mbi 1200 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e saj. Ndonëse leja tek autoritetet është marrë për dy orë, ajo mund të zgjasë dhe më tej.
Më herët gjatë ditës, ambasada e Shteteve të Bashkuara, në njoftimin e zakonshëm të saj, në të tilla ngjarje, iu bëri thirrje qytetarëve të saj që të shmangin zonat me grumbullimeve pasi protesta ndonëse e paralajmëruar si paqësore, mund të jetë e paparashikueshme.
Kryeministri Rama nga ana tjetër, i cili do të jetë shënjestra e protestës së demokratëve në fjalimet e tyre, ka zgjedhur të udhëtojë drejt Vlorës, ku do të marrë pjesë në përurimin e bypassit të këtij qyteti.
Gjatë protestës do të flasin deputetë demokratë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe në fund do të mbyllet me fjalimin e ish-kryeministrit Berisha. (A2 Televizion)